Vera Uinter (1923 – 2015)
Vera Uinter lindi si Vera Barisiq në vitin 1923 në Glamoç. Ajo rridhte nga një familje mësuesish të cilët gjatë periudhës së Mbretërisë së Jugosllavisë shpesh e ndërronin vendbanimin. Fillimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti në Zagreb, ku Vera Barisiq filloi studimet për ekonomi. Për shkak të kritikave të saja ndaj pushtetit ustash të asaj kohe, vuajti një muaj dënim në burgun në rrugën Petrinjska. Në fund të luftës gjendej në Zagreb.
Pas diplomimit në ekonomi dhe pas një punësimi afatshkurtër, mori udhëzimin për të shkuar në Beograd për të punuar në një nga ministritë federale. Pas publikimit të Rezolutës së Byrosë Informative, një nga eprorët e saj u arrestua si simpatizant i Stalinit dhe agjentët e UDBA-së e morën në pyetje. Gjatë marrjes në pyetje, ajo me naivitet tha se po dëgjonte Radio Moskën, pas së cilës u arrestua së shpejti. Pas torturave të zakonshme në burgun hetues në Beograd, më 29 prill 1950, u internua në kampin e grave të Sv. Grgur-it. Kaloi plot 36 muaj në kampet e Goli Otok-ut dhe Sv. Grgur-it. Sipas të dhënave të UDBA-së, u lirua më 22 qershor 1953. Për shkak të kësaj “vrime” në rezymenë e saj, arriti të punësohej si punëtore magazine në kompaninë “Katran” dhe priti gjatë për të marrë një pozicion që përputhej me përgatitjen dhe kompetencat e saja profesionale.
Vera për herë të parë për përvojën e saj si e burgosur në Goli Otok në vitin 1989. Burri i saj Gabriel Uinter ishte gjithashtu i burgosur në Goli Otok, por siç dëshmoi ajo, ata kurrë nuk u treguan djemve të tyre për përvojën e kampit.
“Ai që rrihte më fort dilte më shpejt. Ata që rezistonin, qëndronin më gjatë, por ne të gjithë u rrahëm dhe të gjithë i rrihnim të tjerët. Të gjithë që ishim atje, u sollëm në nivel të ekzekutorëve. Të gjithë kemi kompromentuar ndërgjegjen tonë atje. Kjo është arsyeja pse është kaq e vështirë të flasësh për të, dhe kjo është arsyeja pse na vinte turp me vite pas daljes. Edhe pas daljes kishim frikë. Çfarëdo që të bëje, mundej të kthehet në diçka të keqe për ty.”
*Teksti është marrë nga faqja e projektit artistik “Ju e tradhtuat Partinë kur duhej ta kishit ndihmuar“. Falënderojmë menaxheren e projektit Andreja Kulunçiq dhe bashkëpunëtorët e saj për materialet e ofruara.