Pse e kujtojmë Goli Otokun

Goli Otoku është një vend i karakterizuar nga dhuna e regjimit komunist jugosllav kundër mijëra individëve të burgosur në ishull. Ky ishull i shkretë dhe i djerrë që gjendet midis ishujve Rab dhe Senj, është një nga vendet me rëndësinë më të madhe simbolike në historinë bashkëkohore të Kroacisë dhe të kohës së saj si republikë në ish-Jugosllavi. Mirëpo, nga kampi i mëparshëm dhe më vonë burgu në Goli Otok, kanë mbetur vetëm ndërtesa të shkatërruara ku delet kullosin në dimër, ndërsa turistët shëtisin në verë në kërkim të përvojës së “Alkatrazit Adriatik”, vizita këto të cilat iu ofrohen turistëve nga agjencitë e udhëtimit ose pronarët vendor të anijeve.

Megjithëse pothuajse të gjithë në Kroaci kanë dëgjuar për Goli Otokun, pakkush mund të thotë më shumë sesa disa fjali kuptimplota për këtë ishull. Një nga arsyet më të rëndësishme për këtë mungesë informacioni qëndron në mungesën e kërkimit shkencor gjithëpërfshirës për Goli Otokun. Me botimin e librit “Historia e Goli Otokut” nga Dr. Martin Previshiq (Martin Previšić „Povijest Golog otoka) në fillim të vitit 2019, u bë një hap i madh përpara në kërkimin shkencor mbi këtë temë të rëndësishme. Megjithatë, libri i Previshiqit me gjashtëqind e ca faqe tejkalon nevojat për informim të një vizitori mesatar apo publikut të gjerë.

Kjo broshurë është krijuar në bashkëpunim me Dr. Martin Previshiqin dhe paraqet një hyrje të shkurtër në temën e historisë politike të Goli Otokut, si dhe ofron një udhëzues për pjesën e ishullit që vizitorët më së shpeshti vizitojnë. Rezultatet shumëvjeçare të kërkimit shkencor të Dr. Previshiqit iu paraqiten lexuesve në një mënyrë të kuptueshme dhe të thjeshtë, të përshtatshme për ata lexues që nuk kanë njohuri paraprake për Goli Otokun, ose historinë politike të Kroacisë.

Përveç ofrimit të informacionit themelor për kampin dhe më vonë burgun në Goli Otok, qëllimi i kësaj broshure është që të nxit lexuesit të mendojnë për dhunën e motivuar ideologjikisht në kuadër të regjimeve të ndryshme në Kroaci në shekullin e 20-të. Në të njëjtën kohë, dëshirojmë të theksojmë rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirisë së secilit individ, si dhe të nxisim ndjeshmërinë me viktimat e dhunës politike dhe ideologjike.

Ne e konsiderojmë edukimin e publikut së bashku me nxitjen e reflektimit kritik dhe dialogut publik si postulate themelore të ndërtimit të qytetarëve me ndërgjegje shoqërore, të gatshëm për të kundërshtuar cenimin e lirisë së shprehjes, mendimit dhe veprimit brenda kuadrit dhe rendit kushtetues e ligjor. Me këtë broshurë për Goli Otokun, dëshirojmë të kontribuojmë në zhvillimin e një shoqërie të mbështetur në vlera demokratike dhe qytetare, një shoqëri në të cilën Goli Otoku nuk do të ndodhë më kurrë.

Dr. Boris Stameniq

Koordinator i programit “Kultura e Kujtesës” në organizatën “Documenta – Qendra për Ballafaqimin me të Kaluarën”