5. Gropa e Petarit
Fotografia e mbetjeve të kampit “Gropa e Petarit”
Autor i fotografisë: Darko Bavoljak
Kampi “Gropa e Petarit”, i njohur edhe si “R-101” dhe “Manastiri”, përbëhej nga një kazermë e madhe që strehonte rreth 130 persona dhe dy ndërtesa të vogla të gurit për kuzhinën e kampit. Kampi u ndërtua në një gropë të thellë rreth dhjetë metra, një nga disa gropat e tilla të hapura në Goli Otok midis dy luftërave botërore, gjatë gërmimeve në kërkim të boksitit. Të burgosurit e vendosur në Gropën e Petarit ishin kryesisht informbyroistë të dënuar, komunistë të vjetër, udhëheqës të Partisë Komuniste të Jugosllavisë para Titos, persona që kishin kaluar vite shërbimi në Bashkimin Sovjetik, komandantë partizanë të njohur, etj. Të gjithë ata, për shkak të përvojës së tyre të gjatë në parti, nuk ishin përkrah Titos dhe kryesisht mbështetnin Stalinin. Në mënyrë që t’i izolonin nga të burgosurit e tjerë, ata u vendosen në këtë vend të vetmuar ku iu nënshtruan torturave të rënda. Pas shpërbërjes së Kampit, vendi u rrafshua duke e mbuluar me dhe. Fotografia tregon vendin ku me shumë gjasa ndodhej kampi “Gropa e Petarit”.