Xhina Markush (1920 – 2006)
Xhina Markush lindi në vitin 1920 në një familje tregtare në Cetinje. Edhe si gjimnaziste e tërhiqnin idetë komuniste. Si shumë gra të reja komuniste malazeze dhe jugosllave, ajo ndoqi anëtarët meshkuj të familjes në këto hapa. Përgatitej të studionte mjekësi në Beograd kur italianët pushtuan Malin e Zi në vitin 1941. Për shkak të punës ilegale dhe mbështetjes së komunistëve, shumë shpejt u burgos në burgun fashist Bogdanov në Cetinje. Për shkak të aktiviteteve luftarake në radhët partizane, ajo u kap përsëri dhe u internua në një kamp deri në kapitullimin e Italisë, për t’u kthyer përsëri përmes Sllovenisë dhe për t’u bashkuar me partizanët në aksionet përfundimtare të çlirimit të Malit të Zi dhe Jugosllavisë.
Ajo do të dalë nga lufta si një e re komuniste me mirënjohje për angazhimin e saj të pamëshirshëm në luftën dhe revolucionin antifashist. Pas luftës, Xhina Markush fiton një punë politikisht të fshehtë si nëpunëse postare në Beograd. E fillon jetën e saj të pasluftës plot entuziazëm për rindërtimin dhe ndërtimin e vendit dhe në kushtet e angazhimit kolektiv për realizimin e idealeve revolucionare. Pas publikimit të Rezolutës së Byrosë Informative të vitit 1948, bashkëshorti i motrës së saj, oficeri ushtarak Vido Gjurashkoviq, kreu vetëvrasje në Beograd, sepse e dinte se do të arrestohej dhe do të dëbohej në Goli Otok. Pas pak kohësh, u arrestua edhe Xhina, me akuzën se letrat i dërgonte nga posta jashtë vendit për shkak të propagandës kundër-jugosllave. Xhina ishte një nga të shumtët komunistë që protestuan kundër “magazinave diplomatike” që lajmëronin shtresëzimin klasor të pasluftës dhe formimin e borgjezisë së kuqe.
Ajo u arrestua në vitin 1949 dhe kaloi një kohë në burgun hetimor Glavnjaça në Beograd, dhe më pas u dërgua në Goli Otok dhe Sv. Grgur. U lirua nga kampi në vitin 1952. Deri në vdekjen e saj, nuk arriti të përshtatej me “jetën normale”. Vuante nga pagjumësia e rëndë dhe e gjatë dhe shpesh binte në gjendje që i ngjanin katatonisë (palëvizshmëri, shtrembërim i trupit, heshtje). U trajtua në disa institucione psikiatrike.
Në vitin 1989, shkroi kujtime (të pabotuara) për ditët e kaluara në Goli Otok dhe Sv. Grgur. Vdiq në vitin 2006, nga një mbidozë e pilulave të gjumit.
“U ndala dhe ngriva, nuk mund të lëviz nga frika. Më shtynë në rresht dhe filloi rrahja. Nga njëra anë dhe nga tjetra ka pasur goditje me grushte. Aq e dobët, nuk durova dot as dy metra, fillova të bie, por ata më ngritën dhe vazhduan të më rrihnin, sikur garonin se kush do të më rrihte më shumë dhe më mirë. Më rrihnin dhe pështynin, dhe kjo ishte gjëja më e vështirë, më e tmerrshme për mua, pështyma e lëmuar duke më rrëshqitur në fytyrë, në duar, në flokë… “
*Teksti është marrë nga faqja e projektit artistik “Ju e tradhtuat Partinë kur duhej ta kishit ndihmuar“. Falënderojmë menaxheren e projektit Andreja Kulunçiq dhe bashkëpunëtorët e saj për materialet e ofruara.