Petar Komneniq (1895 – 1957)
Petar Komneniq ka lindur në fshatin Pilatovci afër Nikshiqit. Babai i tij ishte Todor Komneniq, prift dhe kapiten, pra kryetar i pushtetit lokal në Principatën dhe Mbretërinë e Malit të Zi. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin e regjistroi në Beograd. Në Beograd u regjistrua në Fakultetin Filozofik, ku u fokusua në studimet e historisë.
Me fillimin e Luftërave Ballkanike, ai u regjistrua për të luftuar dhe gjatë Luftës së Parë Botërore, si student, luftoi në ushtrinë e Mbretërisë së Serbisë. Pas kapjes së tij, kaloi një pjesë të luftës në kampin hungarez të robërve në Boldogasonj, nga ku arriti të arratisej dhe të transferohej në Zvicër.
Menjëherë pas përfundimit të luftës dhe pas krijimit të Mbretërisë së SHS-së, në vitin 1919 iu bashkua PKJ-së. Në periudhën ndërmjet dy luftërave konsiderohej si intelektual i shquar dhe si profesor i historisë jetoi në disa qytete të Jugosllavisë. Në Sarajevë u mobilizua në ushtrinë e Mbretërisë së Jugosllavisë, ku priti kapitullimin si komandant batalioni.
Pas rënies së ushtrisë jugosllave në luftën e prillit, ai u kthye në fshatin e lindjes, ku shpejt u shndërrua në një nga organizatorët kryesorë në përgatitjen e Kryengritjes së Trembëdhjetë Korrikut dhe drejtoi njësitë e armatosura të Banja-Vucedolit. Nga fundi i vitit 1941 mori pjesë në Betejën e Pljevaljit dhe në vitin 1942 u bë komandant i çetës partizane të Lovqenit. Me fuqizimin e njësive të LNÇ dhe formimin e Brigadës së Pestë Proletare Malazeze, do të emërohet komandant i Batalionit të Tretë. Gjatë luftës së viteve 1942/43 u takua dhe u miqësua me poetin Ivan Goran Kovaçiq, i cili ia kushtoi poemën “Liria jonë”.
Gjatë luftës, u bë flamurtar i zonës Bihaq-Czazin, dhe dikur edhe flamurtar i zonës së grumbullimit ushtarak për Hercegovinën. Megjithatë, luajti rolin më domethënës si delegat në Sesionin e Parë të AVNOJ dhe sesionin e Parë të ZAVNO në Mal të Zi. Për meritat e tija, në fund të vitit 1944 emërohet anëtar i kryesisë së CASNO-s.
Pas çlirimit të Malit të Zi u emërua fillimisht nënkryetar i Qeverisë së Malit të Zi Federal, 1945-1946 dhe Ministër i Politikës Sociale. Më pas mbajti postin e kryetarit të Asamblesë Kushtetuese në vitin 1946 dhe Kryetar i Kuvendit Kombëtar të Malit të Zi , nga viti 1947 deri më 21.1.1949, kur u arrestua.
Duke u shpallur për Rezolutën e IB, ai ishte një nga të burgosurit e parë në Goli Otok. Komneniqi u dërgua në “Radilishte” ose “Logor 101”, kompleks i destinuar për “elitën jugosllave të Ibe-ve”. Në një prej shumë herëve që ishte marr në pyetje, hetuesit i kanë thanë se ishte në institucionin korrektues sepse duhej të rishikonte pikëpamjet e tij. Për këtë, Petari u është përgjigjur se kjo nuk ishte ndonjë punishte, “por një gropë e zakonshme”. Ende pranohet se për shkak të Petar Komneniqit ky lokalitet ka marrë emrin Petrova dupka (Gropa e Petarit).
Petar Komneniqi u lirua në vitin 1954. Pas kthimit në Nikshiq, u bashkua me gruan dhe djalin e tij, të cilët ishin të izoluar nga shoqëria gjatë atyre viteve. Vdiq më 18 nëntor 1957, në vitin e 62-të të jetës, në spitalin për sëmundje të mushkërive në Brezovik afër Nikshiqit.
Njëra nga rrugët në Nikshiq mban emrin e Petar Komneniqit.