Vladimir Vlado Dapçeviq (1917 – 2001)
Vllado Dapçeviq ka lindur në vitin 1917 në Lubotinjë afër Cetinjës. Ndoqi shkollën e mesme në Cetinje, nga e cila u përjashtua për organizimin e grevës së studentëve. Në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare u bë anëtar i SKOJ-së dhe shpejt u arrestua për herë të parë për shpërndarjen e fletushkave komuniste. Një vit më pas, në 1934, u bë anëtar i PKJ-së dhe tashmë në vitin 1935 kaloi njëfarë kohe në burg për “veprimtari revolucionare”. Si pasojë e veprimeve të tij, iu ndalua regjistrimi në të gjitha shkollat në Jugosllavi. Gjatë demonstratave masive të komunistëve në Mal të Zi në vitin 1936, u arrestua përsëri dhe kaloi katër muaj në burgun e Sarajevës. Pas daljes nga burgu, policia e ndaloi në përpjekje për t’u larguar për në Spanjë, ku tashmë po luftonte vëllai i tij i madh Peko Dapçeviq.
Autoritetet e lejuan të diplomohej nga shkolla e mesme në vitin 1939, pas së cilës u regjistrua në Fakultetin e Teknologjisë në Beograd. Gjatë përleshjeve me shoqatën studentore konkurrente të Dimitar Ljotiqit – Lëvizja Popullore Jugosllave ZBOR, ai u plagos në kokë. Gjatë Luftës së Prillit, u gjend në Beograd, por shpejt u zhvendos në Mal të Zi, ku mori pjesë në përgatitjet për Kryengritjen e Trembëdhjetë Korrikut. Sipas disa raportimeve, ai qëlloi të shtënën e parë të kryengritësit.
Mori pjesë në betejën e Pljevaljit, në të cilën u plagos. Pas Rudos dhe Igmanit, u plagos sërish në vitin 1942. Si komandant i disa kompanive dhe batalioneve mori pjesë në betejat e Neretvës dhe Sutjeskës. Gjatë luftës, për shkak të kundërshtimit të Partisë, u përjashtua disa herë, për t’u rikthyer më vonë në radhët e saj për shkak të trimërisë së tij në beteja. Nga lufta doli me gradën nënkolonel dhe delegohet në detyrën e mësuesit në Shkollën e Lartë të Partisë. Gjatë vitit 1947 emërohet në krye të Administratës së APJ-së për agjitacion dhe propagandë, kështu që vitin e ardhshëm mori pjesë në Kongresin e pestë të PKJ.
Duke u vendosur për IB-në, në gusht të vitit 1948, shkoi për gjueti në afërsi të Vrshacit me gjeneralët malazezë Arso Jovanoviq dhe Branko Petriçeviq, gjë që duhej të shërbente si justifikim për dezertimin në Rumani. Meqenëse plani u pengua, gjatë tentativës për të kaluar kufirin, ndodhi një incident në të cilin pësoi Jovanoviqi dhe Petriçeviqi u arrestua. Vlado Dapçeviq arrin në Beograd, nga ku edhe një herë tenton të kalojë kufirin. Gjatë përpjekjes së pasuksesshme për të kaluar kufirin me Hungarinë, u arrestua.
Kaloi gati dy vjet në burgun hetues, dhe pastaj u dënua me 20 vjet burg. Nga qershori i vitit 1950 deri në dhjetor 1956 ishte në kampin Stara Gradishka, Bileqa dhe Goli Otok. Në dëshminë e tij personale, deklaroi se pavarësisht torturave të rënda, nuk hoqi dorë nga bindjet e tij politike.
Në vitin 1958, së bashku me një grup të mendimit të tij, u largua për në Shqipëri dhe më pas u nis për në BRSS. Nuk kaloi shumë kohë dhe ra në konflikt me autoritetet sovjetike. Së pari në vitin 1962, për shkak të synimeve për të mbledhur vullnetarë për të shkuar në Kubë, dhe më pas në 1965, për shkak të pengimit të tij për t’u bashkuar me luftën e komunistëve në Vietnam. Një vit më pas largohet nga BRSS dhe shkon në Evropën Perëndimore, ku për të mbijetuar bën punë të rënda fizike. Në vitet e ardhshme, arrestohet vazhdimisht dhe dëbohet nga Franca, Belgjika, Holanda dhe Zvicra.
Gjatë kësaj kohe, lidhet me partitë radikale marksiste-leniniste në Evropën Perëndimore dhe mban lidhje me “Ibeovci-të” në Evropën Lindore. Duke pasur parasysh vazhdimin e veprimtarisë politike, në vitin 1973 kishte një përpjekje të pasuksesshme për likuidimin e tij nga shërbimet sekrete jugosllave. Megjithatë, autoritetet jugosllave nuk donin të hiqnin dorë kaq lehtë prej tij. Gjatë tubimit të “Ibeovci-ve” në vitin 1975 në Bukuresht, në bazë të marrëveshjes së nivelit më të lartë mes Jugosllavisë dhe Rumanisë, anëtarët e shërbimit sekret jugosllav e rrëmbyen atë. Në këtë proces, dy nga shokët e tij u vranë.
“Më thyen dhëmbët, më prenë gjuhën, më prenë fytin, më thyen brinjët dhe më lënduan të gjitha organet e brendshme… Në fund më vunë një lloj shalli në gojë dhe në hundë. Kam humbur plotësisht vetëdijen. U zgjova një ditë tjetër natën në burgun qendror të Beogradit, në një qeli në bodrum”.
Në gjyqin në Jugosllavi u dënua me vdekje, kurse pastaj dënimi iu ndryshua në 20 vjet burg. U lirua nga izolimi në vitin 1988, dhe menjëherë u dëbua nga vendi. Kaloi pjesën tjetër të jetës në Belgjikë, por shpesh vinte në Jugosllavi dhe Mal të Zi. Gjatë viteve të 90-ta ishte pjesëmarrës aktiv në fushatën kundër luftës dhe kundërshtar i madh i Sllobodan Millosheviqit. Vdiq më 12 korrik 2001 në Bruksel.