Goli Otok – vend me rëndësi rajonale
Vendet autentike kanë një rol të rëndësishëm në kulturën e kujtimeve dhe përcjelljen e ngjarjeve historike. Njerëz nga e gjithë ish-Jugosllavia u burgosën në Goli Otok dhe rrjedhimisht ky vend ka rëndësi të madhe rajonale.
Goli Otok është i pranishëm në vetëdijen e shumë njerëzve në mënyra të ndryshme. Historia e ishullit-burg është temë e filmave dhe veprave letrare dhe për të flet edhe libri madhështor “Kur Nina nuk e dinte” i shkrimtarit izraelit David Grosman. Megjithatë, përkundër kësaj, ka shumë boshllëqe në njohuritë për Goli Otokun. Goli Otok deri më sot ka mbetur subjekt i instrumentalizuar dhe vazhdimisht i keqpërdorur për qëllime nacionaliste. Nëpërmjet përmbajtjes së këtij udhëzuesi, duam të kundërshtojmë veprimet e tilla.
Çështjet nga fusha e politikës zënë vend të rëndësishëm në veprimtarinë e edukimit politik të Fondacionit “Friedrich Ebert”. Lidhur me Goli Otok, nga njëra anë, kjo nënkupton ruajtjen e kujtimeve të njerëzve që për arsye të ndryshme politike janë burgosur dhe që kanë vuajtur në këtë vend. Nga ana tjetër, kjo tregon nevojën për të kuptuar historinë e ndërlikuar të Goli Otok-ut. Vetëm mbi bazën e vëzhgimit të diferencuar, duke përdorur të dhënat më të fundit kërkimore, mund të arrihet qëllimi i përballjes me këtë vend dhe fazat e ndryshme të ekzistencës së tij, dhe me këtë të kontribuohet në mirëkuptimin dhe pajtimin.
Projekti i udhërrëfyesit interaktiv virtual, i iniciuar fillimisht nga zyra rajonale e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Zagreb, që nga viti 2021 ka filluar të mbindërtohet duke ofruar përmbajtje rajonale shumëgjuhëshe. Gjatë këtij viti, faqja e internetit, e cila deri më tani ofron përmbajtje në nëntë gjuhë, do të zgjerohet më tej. Kështu theksi vihet në prodhimin e biografive të shkurtra shtesë dhe materialeve edukative. Qëllimi është që faqja të bëhet një pikë aktive dhe e qasshme për të informuar ata që janë të interesuar për historinë dhe të paraqet një vend që mësuesit mund ta përdorin për mësimdhënie.
Në këtë kuptim, shpresojmë që faqja e internetit do të vazhdojë të jetë objekt i interesit në rritje. Falënderojmë sinqerisht të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë projekt dhe vazhdojmë ta bëjnë këtë. Veçanërisht falënderojmë ekipin e “Dokumenta” dhe, individualisht, dr. Martin Previsiq dhe dr. Boris Stameniq, për angazhimin dhe njohuritë e tyre të gjera profesionale. Falënderojmë edhe kolegët nga zyra e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Zagreb për bashkëpunimin e shkëlqyer.
Sarajevë, korrik 2022.
Dr. Ralf Mezer _
Shef i Zyrës Rajonale të Dialogut në Evropën Juglindore të Fondacionit Friedrich Ebert