Konteksti historik i krijimit të kampit në Goli Otok

Jugosllavia komuniste ishte një nga ndjekësit më besnikë të Bashkimit Sovjetik në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Komunistët jugosllavë u përpoqën të kopjonin modelin sovjetik në politikë, kulturë, ekonomi, gjyqësi, si dhe në shumë fusha të tjera. Fotografitë e Stalinit ishin një pamje e zakonshme në institucione të ndryshme shtetërore, ndërsa lavdërimi i pafund i Bashkimit Sovjetik dhe udhëheqësit të tij mbushnin hapësirën publike. Megjithatë, komunistët jugosllavë ishin të udhëhequr nga bindja se ata duhej të forconin rolin e tyre rajonal dhe të përhapin komunizmin përtej kufijve të Jugosllavisë. Kjo politikë i solli ata në konflikt me Bashkimin Sovjetik, të cilit nuk i pëlqenin veprimet e pavarura të Jugosllavisë në Greqi, Bullgari dhe Shqipëri.

Më 28 qershor 1948, sovjetët nxorën Rezolutën e Informbyrosë që synonte të ushtronte presion mbi Jugosllavinë, duke shpresuar për një ndryshim në udhëheqjen e atëhershme. Meqë konflikti ishte sekret gjatë gjithë asaj kohe, publikimi i Rezolutës së Informbyrosë shkaktoi një tronditje në mesin e qytetarëve të vendit. Pas tre viteve të stalinizimit intensiv të Jugosllavisë, ishte vështirë të pranohej fakti që Bashkimi Sovjetik dhe Stalini nuk ishin më miq. Megjithatë, rënia e udhëheqjes së Partisë Komuniste nuk ndodhi. Sovjetët pastaj izoluan Jugosllavinë nga ana ekonomike dhe diplomatike, madje kishte shenja se ata mund të ndërhynin ushtarakisht. Në të njëjtën kohë, në vend filluan të shfaqeshin informbyroistët, mbështetës të Bashkimit Sovjetik, si dhe njerëz të cilët ishin të hutuar nga situata e re politike për shkak të anësisë në ofrimin e informacionit nga ana e qeverisë jugosllave.

Gjysmë viti pas nxjerrjes së Rezolutës së Informbyrosë, kur u bë e qartë se nuk do të ketë pajtim me Bashkimin Sovjetik dhe se marrëdhëniet mund të pritej të përkeqësoheshin edhe më tej, komunistët jugosllavë filluan një ballafaqim me kundërshtarët e vërtetë dhe të pretenduar brenda radhëve të tyre dhe filluan organizimin e një sistemi të kampeve e burgjeve për të burgosur informbyroistët, më i madhi prej të cilëve ishte kampi në Goli Otok, i krijuar në korrik të vitit 1949.

Gjatë historisë, ishuj të shumtë në botë kanë shërbyer si vende për të burgosur kundërshtarët politikë. Ky ishull i izoluar në detin Adriatik, i vendosur larg kufijve lindorë të Jugosllavisë, ishte zgjedhja e natyrshme për policinë sekrete jugosllave, e njohur si Shërbimi i Sigurimit të Shtetit (UDBA), si një zgjidhje logjike për të izoluar mbështetësit e vërtetë dhe të pretenduar të Stalinit. Meqenëse ishulli nuk ka ujë të pijshëm, si dhe toka dhe klima e tij janë të pafavorshme, ai nuk ishte as i banueshëm dhe as i përshtatshëm për zhvillimin e bujqësisë, përveç ndonjëherë për peshkim dhe mbarështimin e deleve. Pavarësisht se ndodhet në një pjesë të detit Adriatik relativisht të populluar, Goli Otoku, me një sipërfaqe prej 4,54 km², mbeti i shkretë.

Pjesa më e madhe e ishullit është e pambrojtur nga goditjet e erës, ndërsa vetëm një pjesë e bregdetit, ana jug-perëndimore në Goli Otok është pjesërisht e mbrojtur. Pikërisht në këtë pjesë ishte hyrja natyrore në ishull, e cila më vonë, gjatë krijimit të kampit, u përdor për të ndërtuar një liman. Pjesa tjetër e paarritshme e vijës bregdetare, veçanërisht ana veriore dhe lindore e ishullit, karakterizohet nga një varg shkëmbinjsh rreth 200 metra të lartë dhe rreth 4 km të gjatë. Maja më e lartë e ishullit është Glavina (227 metra), ndërsa thellësia e detit përreth arrin deri në 30 metra. Thellësia më e madhe e matur në bregun lindor arrin deri në 103 metra. Këto karakteristika e bënë ishullin të izoluar në mënyrë natyrore.

Përbërja gjeologjike e mbizotëruar nga shkëmbinj gëlqerorë ishte shkaku kryesor për mosekzistimin e burimeve të ujit ose rrjedhjeve të vazhdueshme sipërfaqësore në ishull, që do të thotë se bimësia në ishull ishte gjithashtu e pakët. Pjerrësitë shkëmbore janë të mbuluara vende-vende vetëm nga kullota të thata. Në pjesën jug-perëndimore të Goli Otokut, e cila është më e mbrojtur nga era, filloi pyllëzimi pas krijimit të kampit. Zona e pyllëzuar është sot pjesa e vetme “e gjelbër” e ishullit.

Vetë klima e ishullit tregon se Goli Otok ishte një vend i përshtatshëm për një kamp të këtij lloji. Sipas klasifikimeve, në ishull mbizotëron një klimë mesatarisht e ngrohtë dhe e lagësht, me verë të nxehtë. Në dimër, goditjet e erës janë të shpeshta dhe arrijnë shpejtësinë deri në 150 km/orë, kur temperatura bie në -8°C. Duke marrë parasysh të gjithë tiparet gjeografikë të paraqitur më lart, Goli Otoku ishte një vend i përshtatshëm për të krijuar një kamp burgu. Klima e ashpër do të ngulitej në kujtesën e të burgosurve si një nga karakteristikat kryesore të kampit.