Goli Otok – sekreti publik jugosllav

Policia sekrete e Jugosllavisë u ndaloi të burgosurve të liruar të flisnin për Goli Otokun dhe përvojat e tyre në kamp. Para se të liroheshin, të burgosurit duhej të nënshkruanin dokumentin e ashtuquajtur “Zotim” me të cilin detyroheshin të heshtnin për atë që kishte ndodhur në kamp, nën kërcënimin se do të burgosen përsëri. Ata që u liruan, kryesisht flisnin për Goli Otokun vetëm me ata persona në të cilët kishin besim të madh. Në këtë mënyrë, Goli Otoku ishte një sekret publik jugosllav për një kohë të gjatë.

Tema e konfrontimit me mbështetësit e Stalinit filloi të shfaqej për herë të parë në letërsi në fund të viteve 1960, në romanin e Dragoslav Mihailoviqit “Kur lulëzuan kungujt” (Dragoslav Mihailović „Kada su cvetale tikve“). Pas vdekjes së Titos në vitin 1980, u botuan dhjetëra romane (Isaković, Hoffman, Selenić, Mihailović) që bazoheshin në dëshmitë e ish të burgosurve, të cilët hapën këtë temë në vitet e liberalizimit gradual të shoqërisë. Në të njëjtën kohë, pati jehonë shumë të shkurtër dhe të vonuar nga historiografia zyrtare, si dhe një falje të personave që ishin pjesë e aparatit të sigurimit shtetëror nga koha e konfliktit Tito-Stalin, të cilët justifikonin ekzistencën e kampeve të internimit duke pretenduar se “pa Goli Otokun, e gjithë Jugosllavia do të shndërrohej në një Goli Otok”.

Në fillim të viteve 1980, shtypja dhe dhuna që shënoi periudhën e konfliktit me Stalinin u bënë temë e filmave artistikë, midis të cilëve më të popullarizuarit ishin “Spiuni i Ballkanit” dhe “Babai në udhëtim zyrtar” (“Balkanski špijun” dhe “Otac na službenom putu”). Dalja në dritë e filmave, dëshmive dhe e ashtuquajtura “letërsia e Goli Otokut”, ndikoi fuqishëm në shoqërinë jugosllave, e cila tashmë po përballej me kriza të ndryshme. Pavarësisht nga konteksti historik i kampit, zbulimi i informacioneve rreth torturave në Goli Otok dhe aparatit brutal shtypës, zhgënjyen më tej shumë njerëz, duke kontribuar kështu në thellimin e krizës së besimit në rendin komunist jugosllav. Megjithatë, për shkak të shpërbërjes së Jugosllavisë, tema e kampit mbeti e pastudiuar sa duhet dhe me shumë pak interes për trashëgiminë e dikurshme edhe nga shtetet e reja pasardhëse.