Zheni Lebël (1927 – 2009)
Zheni Lebël lindi në një familje civile hebrenjsh laikë në Aleksinac në vitin 1927, dhe nga viti 1932 deri në Luftën e Dytë Botërore jetoi në Beograd. Babai i saj, inxhinier minierash, u zu rob nga gjermanët si oficer i ushtrisë së Mbretërisë së Jugosllavisë, pikërisht në fillim të Luftës së Dytë Botërore, dhe nëna, gjyshja dhe shumë anëtarë të tjerë të familjes vdiqën në kampin e Sajmishtës. Zheni dhe vëllai i saj Aleksandri arritën të shmangnin persekutimin e hebrenjve duke ikur nga Beogradi – Zheni u fsheh në Nish në dhjetor të 1941, me një emër të rremë, tek Jelena Glavashki, e cila është fituese e çmimit “Të drejtët ndër kombet” dhe Aleksandër Lebël, pasi u fsheh në Split, u gjend në një kamp në Rab, ku në vitin 1943, pas rënies së Italisë, u bashkua me partizanët.
Me emrin e rremë Jovanka Llaziq, Zheni u arrestua në fillim të vitit 1943 dhe u dërgua në punë të detyruar në Rajhun e Tretë dhe priste lirimin e saj në burgun e Gestapos të Berlinit. Pas kthimit në Beograd , gjeti qiramarrës të rinj në shtëpinë e familjes dhe falë këmbënguljes, njohjes së gjuhëve (gjermanisht, rusisht, frëngjisht) dhe vullnetit të çeliktë, mbaroi shkollën e mesme, filloi studimet për drejtësi dhe u regjistrua në Shkollën e Lartë Diplomatike – Gazetari dhe paralelisht punoi si bashkëpunëtore në “Politikë”. Pas Rezolutës së Byrosë Informative në verën e vitit 1948, u akuzua për “shpifje kundër popullit dhe shtetit”, sepse tregonte barcoleta për Titon, si “dashnorja e bardhë njëqind kilogramësh”. Mirëpo, si në raste të tjera të ngjashme, arsyeja e vërtetë ishte shpifja e kolegëve të redaksisë që pretendonin pozicionin e korrespondentit nga Parisi, për të cilën Zheni u propozua.
Është marrë në pyetje dhe torturuar në Gllavnjaçë dhe pas shqiptimit të dënimit administrativ është dërguar në “kampin e riedukimit” të grave në Ramski Rit, Zabela, Grgur dhe Goli Otok. Sipas të dhënave të UDBA-së, ka qëndruar në kampe nga 28 prilli 1949 deri më 30 gusht 1951. Pas kthimit në Beograd, nuk mundi të gjente punë, kështu që me kalimin e viteve kërkoi leje për të shkuar në Izrael, ku më në fund u largua në vitin 1954 dhe vazhdoi luftën për një jetesë të re. Me nxitjen e Danilo Kishit, i cili me Aleksandar Mandiqin filmoi dokumentarin Gol život (1989) për fatin e grave të Goli Otok-ut dhe Sv. Grgurit, ajo shkroi dhe botoi librin Ljubičica bela (1990), me të njëjtën temë.
“Në kurrizin e Sv. Grgurit agoi pyetja klasike: Të jesh ose të mos jesh? Nëse rreh – do të jesh. Nëse nuk rreh, do të rrihesh”.
“Kemi një gardhë me gjemba. Duhej të rrethoheshim, nuk e di pse. Nuk kishte tela me gjemba më të mirë se deti .”
“Faqet e turpshme të historisë duhet të shkruhen… për të ardhmen. Që të mos përsëriten.”
*Teksti është marrë nga faqja e projektit artistik “Ju e tradhtuat Partinë kur duhej ta kishit ndihmuar“. falënderojmë menaxheren e projektit Andreja Kulunçiq dhe bashkëpunëtorët e saj për materialet e ofruara.