Pse është i nevojshëm një udhëzues virtual për Goli Otokun
Për Fondacionin Friedrich Ebert, një institucion që angazhohet në arsimimin politik, historia gjithmonë është një fushë që ofron mësim. Kushdo që ballafaqohet me historinë duhet ta bëjë këtë me një interes të dyfishtë njohës: së pari për ta kuptuar se çfarë dhe kur ka ndodhur, për çfarë arsyesh dhe me çfarë pasojash, por edhe për të nxjerrë mësime nga historia për të tashmen dhe të ardhmen. Ndër vite, FES së bashku me Departamentin e vet të Historisë, ka dhënë një kontribut të gjerë në studimin e historisë së fashizmit në Gjermani, historinë e lëvizjes së punëtorëve dhe protagonistët e saj kryesor, si dhe historinë shoqërore në përgjithësi.
Të udhëhequr nga paradigma e kritikës së historisë shkencore, Fondacioni Friedrich Ebert shpreson se kjo broshurë do t’ju ndihmojë të kuptoni se çfarë ndodhi në të vërtetë në këtë ishull të vogël të detit Adriatik, të quajtur Goli Otok, si dhe t’ju mundësojë të nxirrni mësime për të tashmen dhe të ardhmen.
Shpresojmë që nëse e lexoni këtë broshurë dhe së bashku me të vizitoni Goli Otokun, ju mund të përjetoni jo vetëm bukuritë natyrore të ishullit por edhe të kuptoni vuajtjet njerëzore që kanë ndodhur atje. Duke u ballafaquar me të kaluarën e Goli Otokut, ju do të kontribuoni që të mos harrohen vuajtjet e të burgosurve që kishin qëndruar atje midis viteve 1949 dhe 1956. Ju do të kuptoni se sa e papranueshme është të privosh njeriun nga liria vetëm se mendon ndryshe nga pushteti. Në fund të fundit, shpresojmë që kjo broshurë do t’ju nxit që të ngriheni për liri dhe solidaritet, si dhe kundër padrejtësisë dhe dhunës. Përzemërsisht falënderoj autorët e këtij botimi, Martin Previshiq, Vlado Braliq dhe Boris Stameniq, të cilët e kanë mundësuar këtë hulumtim të rëndësishëm historik për një grup të gjerë lexuesish. Gjithashtu falënderoj edhe Vesna Ibrishimoviq për dizajnin grafik të këtij botimi, si dhe Blanka Smoljan nga Fondacioni Friedrich Ebert për mbështetjen e saj të pashoq, pa të cilën kjo broshurë nuk do të ishte e mundur të realizohej.
Türkan Karakurt
Drejtoreshë e Zyrës së Fondacionit Friedrich Ebert në Zagreb