Goli Otok në kulturën bashkëkohore kroate të kujtesës
Goli Otoku është një nga vendet me rëndësi të madhe historike dhe simbolike në historinë bashkëkohore të Kroacisë. Ishulli i shkretë poshtë malit të Velebitit është vendi kryesor i shtypjes së disidentëve nga ana e regjimit komunist jugosllav. Megjithatë, përkundër rëndësisë së tij historike dhe simbolike, për ekzistencën e kampit të dikurshëm, më vonë burgut, sot dëshmojnë vetëm ndërtesat e shkatërruara dhe të rrënuara që janë duke u shembur në shkëmbinjtë e ishullit. Një vizitor i kujdesshëm në ishull do të vërejë disa tabela informacioni, gjegjësisht pllaka përkujtimore kushtuar viktimave, si dhe tabela me përmbajtje turistike dhe hoteliere të pakëndshme. Në këtë fazë mund vetëm të ëndërrohet për një muze apo institucion arsimor që do të merrej me temën e Goli Otokut, në bazë të standardeve kërkimore-shkencore, muzeologjisë dhe pedagogjisë.
Shkatërrimi i kampit të dikurshëm, më vonë burgut, ilustron qartë qëndrimin e shtetit kroat dhe shoqërisë kroate ndaj Goli Otokut dhe viktimave të tij. Sot, Goli Otoku dhe viktimat e tij janë vetëm një nga shumë çështje dytësore në kulturën e kujtesës, të lënë nën kujdesin e disa entuziastëve që shpesh historia familjare i lidh me këtë temë të dhimbshme. Duke pasur parasysh rëndësinë e adresimit të diktaturave në ndërtimin e një kulture politike demokratike, si dhe rolin e spikatur të shtypjes komuniste në kulturën e kujtesës në shumë shoqëri bashkëkohore post-komuniste në Evropë, shtrohet pyetja pse ndodh kështu.
Arsyet për dukshmërinë modeste të Goli Otokut në kulturën e kujtesës kroate janë të shumta. Duke folur për përfaqësimin margjinal të temës së Goli Otokut në kulturën kroate të kujtesës dhe shprehjen e rrallë të ndjeshmërisë ndaj viktimave, së pari duhet thënë që qëndrimi ambivalent ndaj viktimave të kampit daton qysh nga periudha e Jugosllavisë socialiste. Një kombinim i mungesës së njohurisë për rrethanat e arrestimeve, dëbimeve dhe kushteve të qëndrimit në Goli Otok nga njëra anë, dhe frika nga pushtimi Sovjetik dhe pasojat e tij nga ana tjetër, kanë rezultuar në ngritjen e pyetjeve të dyshimta që ende sot vazhdojnë të krijojnë opinionin publik mbi këtë temë. Disa nga këto pyetje janë:
A ishin të burgosurit në Goli Otok të burgosur politikë apo kriminelë të zakonshëm? Nëse do të ishin të burgosur politikë, a ishin vërtet mbështetës të zjarrtë të Stalinit? Nëse do të ishin stalinistë, çfarë tjetër do të mund të bëhej përveç internimit të tyre në një vend të izoluar? Nëse nuk ishin stalinistë, si u gjendën ata në situatën ku do të arrestoheshin dhe burgoseshin?
Është e vërtetë se disa nga të burgosurit në Goli Otok ishin mbështetës të zjarrtë të Stalinit, gjë që e ndërlikon situatën për njohjen e statusit të viktimës të atyre të burgosurve që përfunduan vetëm në Goli Otok, sepse ata u denoncuan me keqdashje si mbështetës të Rezolutës së Informbyrosë. Elitat politike të Jugosllavisë komuniste u përpoqën të fshihnin ose të justifikonin dhunën politike kundër kundërshtarëve të tyre, gjë që pjesërisht shpjegon qëndrimin ambivalent ndaj Goli Otokut në Jugosllavinë socialiste. Heshtja, krijimi arbitrar i justifikimeve dhe shpifjeve ndaj kundërshtarëve politikë janë strategji e legjitimitetit të çdo diktature.
Ndërtesa në Goli Otok, 2018
Autor i fotografisë: Boris Stameniq
Pas mbylljes së burgjeve dhe largimit të të burgosurve të fundit në fund të viteve të ‘80 të shekullit të 20-të, ishte planifikuar të ndërtohej një vendpushim turistik në ishull, por planet për zhvillimin e turizmit në ishull u ndërprenë pas shpërthimit të luftës në Kroaci në vitin 1991. Megjithatë, jashtë zonave të prekura nga konflikti ushtarak, ndërtesat e ish-burgut në Goli Otok u plaçkitën, shkatërruan dhe harruan plotësisht. Bujqit nga vendbanimet përreth përdorin Goli Otokun për të kullotur delet e tyre, të cilat mund të enden nëpër ishull pa u penguar.
Sidoqoftë, përgjigja në pyetjen pse viktimat e dhunës politike në Goli Otok ende nuk kanë gjetur respektin e duhur dhe njohjen e gjerë shoqërore, në rendin e sotëm demokratik dhe post-komunist, kërkon një kuptim më të hollësishëm të kulturës bashkëkohore kroate të kujtesës, si dhe të vlerave dhe ideologjisë së shoqërisë bashkëkohore kroate.
Arsyeja e parë për margjinalizimin e Goli Otokut në kulturën kroate të kujtesës qëndron në përbërjen etnike të të burgosurve. Pas vitit 1990, politika etnocentrike e historisë mbizotëroi në shoqëritë post-komuniste. Përqindja relativisht e ulët e kroatëve në mesin e të burgosurve nuk e cilëson atë si një vend të vuajtjes kombëtare.
Arsyeja tjetër qëndron në orientimin ideologjik të viktimave. Pavarësisht nëse ata ishin apo nuk ishin mbështetës të Rezolutës të Informbyrosë, shumë prej të burgosurve ishin komunistë të bindur, Jugosllavë dhe veteranë të Luftës Nacionalçlirimtare. Ky fakt gjithashtu ka pasur një ndikim negativ në perceptimin e tyre nga një pjesë e shoqërisë kroate. Për shkak të orientimit ideologjik të një numri të madh të të burgosurve, Goli Otoku nuk është i përshtatshëm në rrëfimet e reja të historisë. Megjithëse është njohur dhe pranuar publikisht si një simbol i dhunës në Jugosllavinë komuniste, Goli Otoku nuk paraqet një element kryesor të diskursit antikomunist në Kroaci, i cili si pasojë zvogëlon dukshmërinë e tij të përgjithshme.
Arsyeja e tretë për margjinalizimin e Goli Otokut në kulturën kroate të kujtesës është Lufta Kroate për Pavarësi (1991-1995), dhe fakti që lufta për pavarësinë e Kroacisë, gjatë gjithë kohëzgjatjes së saj, ishte afirmuar si vlerë kryesore dhe simbol i identitetit të shoqërisë kroate. Lufta në kontekstin e shpërbërjes së rendit socialist dhe federatës shumëkombëshe është një përvojë kolektive që e dallon Kroacinë nga shumica e shoqërive post-komuniste në Evropë, si dhe pjesërisht shpjegon edhe dallimet në qëndrime ndaj çështjes së përkujtimit të së kaluarës bashkëkohore.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se përvoja e shumëfishtë e luftërave dhe e dhunës së motivuar ideologjikisht në shekullin 20-të, në territorin që sot i përket Kroacisë, manifestohet në një trend të ngadaltë por të dukshëm të pluralizimit të kulturës kroate të kujtesës dhe të bashkëjetesës së antitezave dikur të papajtueshme. Megjithëse, në parim është një proces pozitiv, pluralizimi i kulturës së kujtesës gjithashtu rezulton në krijimin e perceptimit të konkurrencës midis viktimave dhe një ndjenjë në mesin e një pjesë të publikut se “ata kujdesen vetëm për viktimat e tyre; ata nuk i shohin ose njohin viktimat tona”, gjë që çon në ndarje dhe konflikte të reja.
Shkalla në të cilën dhuna politike dhe viktimat e saj zënë vend në jetën e publikut është e dukshme nga komentet e hidhura në portalet dhe rrjetet sociale. Anonimiteti i pjesëmarrësve në diskutimet në internet sigurisht që kontribuon në radikalizmin e pikëpamjeve të shprehura që shpesh kalojnë në fyerje dhe kërcënime. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë ka njerëz tërhiqen nga diskutimet në hapësirën publike, qoftë të frikësuar nga gjuha e urrejtjes, apo me pretendimin se nuk janë të interesuar për histori dhe politikë. Në rrethana të tilla, viktimat e dhunës politike shpesh bien në harresë, ose bëhen krejtësisht të parëndësishëm.
Është pozitive që zyrtarët qeveritarë, ose të paktën të dërguarit e tyre, mund të shihen në përvjetorët përkujtimor në Goli Otok. Përfaqësuesit e institucioneve politike të Republikës së Kroacisë vizitojnë Goli Otok më së shpeshti më 23 gusht, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit për Viktimat e Regjimeve Totalitare dhe Autoritare. Megjithatë, midis dërgimit të përfaqësuesve me një kurorë lulesh dhe ndërtimit të një muzeu dhe infrastrukture arsimore me personel dhe programe të kualifikuar, ka një rrugë të gjatë që kërkon investime të konsiderueshme dhe gatishmëri të palëve të ndryshme politike dhe shoqërore për të mbështetur këtë proces.
Fotografia e portës në Goli Otok, 2018
Autor i fotografisë: Boris Stameniq
Përkundër mungesës së një institucioni përkujtimor dhe përmbajtjeve shoqëruese, interesimi i vizitorëve vendas dhe të huaj për të parë Goli Otokun ka nxitur zhvillimin e infrastrukturës turistike të organizuar nga ndërmarrës nga vendet përreth si Krk, Rab, Senj dhe Jurjevo. Kampi i dikurshëm, gjegjësisht burgu në Goli Otok, përdoret për të reklamuar ekskursione dhe suvenire të punuara, që banalizojnë vuajtjet e të burgosurve në Goli Otok. Vizitorët mund të shëtisin nëpër shtigjet e gurit në ishull në një rimorkio të tërhequr nga një traktor me mbishkrimin “Goli Exspress” [sic]. Vizitorët mund të blejnë pije freskuese në një objekt hotelerie të quajtur “Pržun” (Przhun), që në dialektin vendor do të thotë “Burg”. Ishulli herë pas here vizitohet nga të ashtuquajturat “Anije për festim” me muzikë me zë të lartë.