Branka Vajl (1922 – 1978)

Branka Vajl ka lindur në Sarajevë. Meqenëse nëna e saj e ka braktisur menjëherë pas lindjes, edukimin e saj e merr përsipër babai i saj, Fric Vajl, djali i Arpad Vajl nga Bijelina. Por Branka e kalon fëmijërinë duke lëvizur nga familja në familje, si një fëmijë i birësuar për një kohë të caktuar. Ndërsa babai i saj udhëton nëpër Evropë duke u angazhuar në punë edukative dhe filantropike, Branka mbërrin në Zagreb, ku regjistrohet në një shkollë të mesme klasike dhe profesoresha dhe kujdestarja e klasës së saj është Dr. Ljuba Kosar, profesoreshë e frëngjishtes dhe kroatishtes, e cila në vitin 1935 zyrtarisht adoptoi Brankën trembëdhjetëvjeçare. Gjatë Shtetit të Pavarur të Kroacisë, falë statusit të dr. Ljuba Kosar, Branka arriti të mbijetonte pavarësisht prejardhjes së saj hebreje. U regjistrua në studimet për gjuhë dhe letërsi frënge, si dhe gjuhë kroato-serbe dhe letërsi jugosllave.

Në vitin 1941, babai i saj Fric Vejl u bë viktimë e ligjeve racore të ustashëve në kampin e përqendrimit të Jasenovacit. Përveç Fricit, shumica e familjes Vejl u vra në Jasenovac. Pas Luftës së Dytë Botërore Branka filloi punën si gazetare. Kështu u takua me Ivan Furlanin, gjithashtu gazetar i sapo ardhur nga një përleshje partizane. Në vitin 1948, Ivani u arrestua dhe u dërgua në Goli Otok dhe menjëherë më pas u arrestua edhe Branka, vetëm për shkak të marrëdhënies me të. Në Goli Otok, Ivani kalon dy vjet, ndërsa Branka qëndron tre vjet, gjoja për “sjellje të keqe”, d.m.th. mosgatishmëria për të marrë pjesë në torturimin e të burgosurve.

Pas largimit, Branka u punësua në bibliotekën e qytetit në Zagreb, ku themeloi dhe drejtoi departamentin e fëmijëve për vite me radhë. Branka bëhet anëtare e jurive të shumta ndërkombëtare për përzgjedhjen e librit më të mirë në botë për fëmijë. Me ftesë të shumë bibliotekave, ajo udhëtoi për vite në qytete të ndryshme evropiane, ku u përfshi në krijimin dhe ligjërimin e sistemit të saj të katalogimit në bibliotekat lokale. Branka është fituese e shumë çmimeve dhe mirënjohjeve në profesionin e saj.

Ajo vdes në moshën 56-vjeçare nga kanceri i shtyllës kurrizore – problemet e saj shëndetësore nisën në Goli Otok.

*Teksti është marrë nga faqja e projektit artistik “Ju e tradhtuat Partinë kur duhej ta kishit ndihmuar“. Falënderojmë menaxheren e projektit Andreja Kulunçiq dhe bashkëpunëtorët e saj për materialet e ofruara.