Burgu 1956. -1988.

Duhet bërë një dallim midis kampit në Goli Otok i krijuar me qëllim të “riedukimit politik” të informbyroistëve dhe burgut të mëvonshëm të Goli Otokut. Kampi në fillim ishte nën drejtimin e drejtpërdrejtë të UDBA-s federale, ndërsa burgu i mëvonshëm ishte nën juridiksionin e SUP-it republikan (Sekretariati i Punëve të Brendshme të Republikës Socialiste të Kroacisë). Organizimi dhe qëllimi i burgut ishte i ndryshëm ashtu siç ishte edhe përbërja e të burgosurve.

Pas përfundimit të konfliktit me Stalinin, kampi u mbyll përkohësisht, por policia sekrete jugosllave vendosi që prodhimi industrial në ishull të mos mbyllej sepse ishte shumë fitimprurës. Megjithatë, në vitin 1953 kampi në Goli Otok (deri atëherë i quajtur “Vend-punishtja e Mermerit” mori emrin e ri “Burgu korrektues Rab – Goli Otok” dhe pas vitit 1956 filloi të funksionojë në formë burgu për delikuentë, adoleshentë, kriminelë dhe të burgosur politikë.

Përbërja e të burgosurve politik në Goli Otok në periudhën pas vitit 1956 përmban vlerësime të ndryshme. Disa nga të burgosurit ishin dënuar me burgim shtesë dhe ishin sjellë sërish në ishull pas vitit 1956. Përveç atyre të burgosurve të kthyer, burgu ka mbajtur një numër të panjohur të të dënuarve të cilët ishin shpallur fajtorë për vepra ideologjike, duke përfshirë shpesh akuza në lidhje me nacionalizmin etnik. Pavarësisht liberalizimit të Jugosllavisë pas vitit 1955, të burgosurit politik u mbajtën në ishull deri në vitet e ‘80-ta.

Pamja e sotme e mbetjeve në Goli Otok daton kryesisht nga koha e burgut, megjithëse ka ndërtesa të shumta që kanë mbijetuar nga koha sa ishte kamp. Burgu i Goli Otokut u mbyll në vitin 1988 dhe pastaj pothuajse plotësisht u shkatërrua.

Ndërtesat e burgut në vendin e ish kampit “Teli i Madh”

Autor i fotografisë: Darko Bavoljak