9. Kampi për gra

Gjatë konfliktit me Stalinin, 862 gra u burgosën dhe internuan në kampe. Akuzat e ngritura kundër tyre ishin pothuajse të njëjta me ato të ngritura kundër burrave. Që nga çasti i arrestimit, gratë mbaheshin të ndara fizikisht nga burrat. Gjatë kryerjes së hetimeve, ato mbaheshin në burgje të veçanta, d.m.th. në pjesë të veçanta të burgut. Ato u gjykuan në procese të veçanta gjyqësore dhe u transportuan në kampe dhe burgje ku vazhduan të mbahen të ndara nga burrat. Kampi i parë ku u mbajtën ishte Ramski Rit, në kufirin e Jugosllavisë me Rumaninë, i cili ekzistoi nga gushti 1949 deri në janar 1950. Kampi ishte i vendosur në një zonë moçali afër një shteti i cili në atë kohë ishte armiqësor, kështu që të burgosurat shpejt u transferuan në burgun Zabela në Pozharevac.

Më pas, gratë u zhvendosen në kampin në ishullin Sveti Grgur, ku kaluan rreth një vit, nga prilli 1950 deri në prill 1951, dhe pastaj u transferuan në Goli Otok në kampin “Radilishte 5” (Vend-punishtja 5, R-V). Këtu përsëri kaluan një vit. Gjatë kësaj kohe, megjithëse gjendeshin në të njëjtin ishull me burrat, ato nuk kishin asnjë kontakt me ta. Sipas dëshmive të ish të burgosurve të kampit, të dy grupet vetëm herë pas here shikonin njëri-tjetrin nga larg. Kampi për gra në Goli Otok ishte i vendosur në një vend veçanërisht të paarritshëm, me kushte të rënda të motit, meqë ishte i ekspozuar ndaj erërave të vazhdueshme. Ngjashëm me strukturën e administrimit të kampeve të burrave, hetueset ishin gra dhe kushtet e jetesës dhe punës ishin të vështira. Pas Goli Otokut, të burgosurat u transferuan përsëri në ishullin fqinj Sveti Grgur, ku qenë dëshmitare të shpërbërjes së sistemit të kampit dhe më pas lirimit të tyre.

Fotografia e mbetjeve të kampit për gra në Goli Otok

Autor i fotografisë: Darko Bavoljak