Mbi projektin

Kultivimi i një kulture të kujtesës nuk është detyrë e lehtë. Shoqëritë moderne janë duke u përballur me një numër në rritje sfidash, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë gjetjen e mënyrave të financimit për projekte me tema historike. Kjo e bën sinergjinë e bashkëpunimit midis Fondacionit Friedrich Ebert në Zagreb dhe shoqatës Documenta, për kultivimin e kulturës të kujtesës, sa të pazakontë, aq edhe për t’u lavdëruar. I pazakontë, pasi fondacioni politik gjerman me këtë projekt i ofron publikut të gjerë në Kroaci dhe jashtë saj një pasqyrë të ngjarjeve historike dhe interpretimeve bashkëkohore, falë bashkëpunimit me shoqatën Documenta, e cila ka përvojë shumëvjeçare në trajtimin kritik të së kaluarës. Për t’u lavdëruar, pasi kontribuon në në një mënyrë të përshtatshme didaktike ballafaqimin e duhur të publikut të gjerë me një temë të rëndësishme nga e kaluara, dhe kështu ndihmon në ndërtimin e një kulture politike demokratike në shoqërinë kroate.

Jemi të lumtur që “gurthemeli” i hartimit të një udhëzuesi për historinë e kampit në Goli Otok, i vendosur në një seminar të mbajtur në Rijekë në vitin 2018, “zuri rrënjë” dhe se ky udhëzues pa dritën e diellit me shtypjen e tij në korrik të vitit 2020. Shpresojmë që edhe ky udhëzues virtual do të gjejë rrugën e tij për shumë vizitorë në Goli Otok, si dhe për qytetarë të tjerë të interesuar, që dëshirojnë të kuptojnë se çfarë ndodhi në Goli Otok dhe pse është i rëndësishëm kultivimi i kujtesës ndaj dhunës politike dhe viktimave të saj.